
TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk ka vonuar shumë dhe i është përgjigjur deklaratës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila sqaroi më herët ‘vizitën’ në Kryeministri. Përmes një postimi në X, Rama sqaron BKH-në dhe publikun për deklaratën e mëparshme në podcast, duke theksuar se nuk kritikoi agjentët për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore. Megjithatë, episodin në fjalë, Rama e cilëson si ‘më të ëmblin’, teksa nënvizon se ‘trimoshat’ sipas tij, shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale
Reagimi i plotë i Ramës:
Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.
Byroja Kombëtare e Hetimit reagoi pak më parë duke sqaruar episodin e zbuluar nga kryeministri Rama. Përmes një deklarate zyrtare për mediat, BKH theksoi se agjentët nuk janë futur me armë dhe pasi janë sqaruar nga Garda, ata janë çarmatosur. Ishte deklarata e Ramës gjatë ditës së sotme, ajo që nxiti këtë ‘përplasje’ me tyre.



