TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë podcastit “Flasim” tregoi një episod befasues, ku sipas tij, agjentë të BKH-së kanë hyrë në Kryeministri dhe nuk kanë pranuar të çarmatosen.
Në reagimin zyrtar për mediat, BKH bën me dije se më datë 20 nëntor, tre hetues të këtij institucioni janë paraqitur në ambientet e Kryeministrisë për ekzekutimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO), për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.
Sipas BKH-së, njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve dhe Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Ndërsa pas verifikimit, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Në përfundim, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron se e drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet në ligj dhe nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë rast prej tyre.
Njoftimi për mediat i BKH-së
Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:
Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.
Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.
Në episodin e 10 të podcastit të tij “Flasim”, teksa reagoi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, Rama zbuloi ‘vizitën’ e papritur të BKH-së në dyert e Kryeministrisë. Kreu i qeverisë nuk zbuloi se për cilin hetim apo çështje bëhej fjalë, ndërsa theksoi se agjentët nuk respektuan as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës. Sipas Ramës, agjentët e BKH-së kishin refuzuar të linin tek dera “patllaken”, pra armët./ZËRI




