TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të rikthyer në detyre numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku. Në episodin e fundit të podcastit të tij “Flasim”, Rama e ciëlsoi pezullimin ‘një rast të paprecedentë’, i cili u eleminua në aspketin ligjor.
Sipas Ramës, në aspektin ndërinstitucional “kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional”.
“Një brutalitet alla shqiptarçe” e quajti Rama kërkesën e gjykatësve për të rritur pagat e tyre, duke marrë përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit. Kryeministri e lidhi këtë me çështjen Balluku, ku sipas tij, një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit.
Reagimi i Ramës:
“Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zv. Kryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.
Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional.
Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht.
Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre.”
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. Për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes, gjykata caktoi datën e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00. Në këtë proces do të thirren edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkoi pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, me argmentin se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI




