TIRANË- Një muaj larg zgjedhjeve të pjesshme, të 9 nëntorit, kanë nisur tensionet mes palëve dhe Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Partia Socialiste ka depozituar një padi zyrtare ndaj KQZ dhe Komisionit Rregullator pranë tij, në Gjykatën Administrative të Apelit. Bëhet fjalë për mosmarrjen e vendimeve nga Komisioni Rregullator për disa çështje kyçe që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si do të organizohen dhe administrohen zgjedhjet.
Konkretisht, në padi kërkohet shqyrtim për: Miratimin e afateve procedurale të zgjedhjeve, Miratimin e karakteristikave teknike të fletës së votimit, Përdorimin e pajisjes elektronike për identifikimin e votuesve, Përdorimin e kamerave dhe monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vendet e numërimit.
Padia e socialistëve do të shqyrtohet në seancën gjyqësore të planifikuar për në datën 13 tetor 2025, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Më 9 nëntor 2025, zgjedhjet e pjesshme do zhvillohen për kryetarët e Bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas vakancave dhe shkarkimeve. Ndërkohë zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë kanë pasur shumë diskutime, pas shkarkimit të Erion Veliajt si kryebashkiak. Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, ndërsa pasuese e tij është zgjedhur nga Partia Socialiste Ogerta Manastirliu./ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur



