TIRANË-Kreu i Patisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp ka komentuar edhe zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho. Sipas tij me zgjedhjen e Brahos u zbatua Kushtetuta, por pretendon se KLP ishte mizogjenike për sa kohë që nuk i dha asnjë votë të vetmes kandidate femër në garë.
Sali Berisha: Dje u zbatua Kushtetuta. Nuk u zgjidh si i pari me 5 vota dhe që nuk mund të rrinte asnjë ditë në detyrë. I dyti mori 7 vota. Komenti i dytë ishte se aty ishte dhe një zonjë, çka tregon se ajo trupë e KLP është mizogenike, nuk i dhanë asnjë votë. Ishte një zonjë, ajo nuk shkoi vetë. Aty në KLP e dërguan komisioni i Skapit. Shkoi atje dhe dy tre zonja që ishin në KLP nuk menduan ti jepnin një votë, e nxorën pa vota. U zgjodh në përputhje me Kushtetutën, në dallim të madh nga pararendësi i tij, që nuk ka kushtetutë as ligj, por këtu u zbatua kushtetuta. Kishin bërë rregulloren vetë për votim të hapur, gjersa kanë rënë dakord, në ujdi. Normal në institucione votimi është i mbyllur, por ata kanë rënë dakord vetë dhe nuk mund të ua diskutojë kush të drejtën për të vendosur si të votojnë.
Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas përfundimit të mbledhjes ku u zhvillua intervistimi i kandidatëve, KLP votoi me 7 vota pro Brahon si drejtues të SPAK, Xholi mori 3 vota dhe Gokaj 1. Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin, të cilit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.



