TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla, janë përplasur gjatë mocionit me debat për 11 majin. Në replikë me socialistin, Berisha vijoi me akuzat për manipulim votash, duke e quajtur Ballën si njënga kriminelët elektoralë më të mëdhenj të vendit. Kreu i demokratëve ka vijuar retorikën se zgjedhjet janë antikushtetuese pasi u rrëmbyen në metoda anti-ligjore, ndërsa zotohet se kjo nuk do të ndodhe më.
“Parafolësi është një nga kriminelët elektoralë më të mëdhenj të vendit, nga manipulatorët më kryesorë në bashkëpunim me kartelet e drogës. Dhe manipulatorët e votës së diasporës. Kjo është realiteti. Për sa i përket pretendimeve, garantoj shqiptarët se kurrë më 11 maj forca politika e bazuar në krimin drogën nuk është fituese. Zgjedhjet i rrëmbeu me metoda anti ligjore anti Kushtetues. Konkluzioni i KE se duhet ndarë partia nga shteti dëshmon se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan mes shteti partiak dhe partive politike. Kjo dënon me vdekje farsën që u zhvillua. Ju garantoj se nuk do mundni ta zhvilloni më atë farsë. Ne ja dolëm se do mbrojmë votë. Por e themi këtu Never more, Kurrë më, hiqeni nga mendja.”, tha Berisha.
View this post on Instagram
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh nga foltorja e Kuvendit se zgjedhjet e 11 majit ishin të lira dhe të ndershme. Balla nuk la pa ironizuar PD-në, duke u kujtuar se ky 35-vjetor i gjen me humbjen më të rëndë në histori. Sa i përket akuzave të opozitës, Balla theksoi se zgjedhjet u fituan edhe në diasporë, ku 2 ndër 3 shqiptarë në diasporë i besuan PS.
“Së pari më lejoni t’ju uroj gëzuar festën e Partisë demokratike, 35 vjetor i rëndësishëm për një prej forcave më të rëndësishme politike në tranzicionin shqiptar. Më vjen keq që ky 35 vjetor ju gjen edhe në rezultatin më të dobët historik të partisë tuaj, më i dobët edhe se më 1997, më i dobëti edhe në betejat që ju drejtoi Luli…Po mirë këtu ka ndikuar shteti e pushteti, po në Diasporë ç’ju gjeti? Dy në tre shqiptarë në Diasporë ia besuan votën Ramës. Si shpjegohet kjo? Faleminderit Diasporës, motrave dhe vëlleërve të diasporës që ia dhanë votën PS dhe Edi Ramës si kryeministër.”, u shpreh Balla.



