TIRANË-Teksa Gjykata Kushtetuese doli sot me një vendim për pezullimin e zgjedhjeve të 9 nëntorit për Bashkinë e Tiranës, partitë kanë vijuar fushatën. Kushtetuesja ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj më 1 tetor 2025, për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës të caktuara më datë 9 nëntor. Pas këtij vendimi, institucioni i Presidentit të Republikës deklaroi se vlerësimi i Gjykatës do të respektohet në përputhje me parimet kushtetuese.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025,”-thuhet në njoftim.
Përveç Presidencës, duket se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndalur ‘vrullin’ e partive politike për të vazhduar fushatën. Dy forcat kryesore politike në vend, PS dhe PD do të vijojnë të punojnë me strukturat për të takuar e bindur qytetarët, se kandidatët e tyre vlejnë të jenë kryebashkiakë të Tiranës.
Partia Socialiste në një mesazh drejtuar strukturave pas vendimin, i ka udhëzuar anëtarët që vazhdojnë punën si normalisht, pasi dekreti nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Në reagim thuhet se nuk ka anulim të zgjedhjeve por vetëm “pezullim të dekretit dhe se vendimi përfundimtar i Gjykatës për Veliajn do merret më 31 tetor.
“Përshëndetje! Ju rikujtoj për takimet e sotme sipas orareve dhe grupeve përkatëse. Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor. Mire u takofshim”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në degët e PS në Tiranë.
Tashmë PS-ja ka emëruar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare në Bashkinë e Tiranës dhe organizatore të fushatës, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Edhe Partia Demokratike ka vijuar me fushatën, ku në një mesazh u ka dërguar strukturave, u kërkohet të angazhohen në mbledhjen e firmave për të mbështetur Florjan Binajn në Tiranë.
“Përshëndetje të nderuar! Më poshtë gjeni hapat dhe afatet për regjistrimin e kandidatëve të pavarur.
KANDIDAT I PAVARUR
Firmat duhen mbledhur sipas formatit Model-KQZ-04-01 bashkëlidhur.
Kujdes:
1 Formulari mbushet me shkronja KAPITALE vetëm nga zgjedhës që votojnë në atë zonë zgjedhore;
2 Për çdo zgjedhës që mbush formularin duhet edhe kopje e kartës së identitetit;
3 Formularët me firmat duhet të plotësohen para datës 19 tetor 2025.
Për Bashkinë TIRANË duhen mbledhur 7700 firma dhe Kopje Karta ID.
KZAZ
ZAZ me numër çift kanë kryetarin në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve dhe ZAZ me numër tek kanë Sekretarin i cili duhet të jetë jurist. Ju lutem të dërgoni brenda ditës së sotme emrat e anëtarëve të KZAZ (banorë të Bashkisë Tiranë) me kopje të diplomës, Çertifikatë Personale dhe Formularët e Konfliktit të interesit (Model KQZ-4-31 dhe Model KQZ-4-32 bashkëlidhur) për anëtarin e KZAZ. Duhet filluar puna urgjent për mbledhjen e firmave pasi afatet janë shumë të ngushta,’-thuhet në mesazhin e PD.
Vetë kandidati i pavarur Florjan Binaj e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një hap të parë drejt një rrugëtimi të gjatë për ndryshim në kryeqytet. Ai konfirmoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e pritshme, duke theksuar se fushata e tij do të bazohet në vizionin për një politikë të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve.
Vendimi i Kushtetueses për pezullimin e zgjedhjeve, vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegon se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
Por me vendimin e Gjykatës, kandidatët dhe partitë do të duhet të presin 31 tetorit për të nisur fushatën. Deri në fund të muajit gjithçka është pezull./ZËRI



