TIRANË- Pas më shumë se tre orësh diskutimesh dhe debatesh për Avokatin e Popullit, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e opozitës për heqjen nga rendi i ditës të votimit për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kërkesa u rrëzua me 30 vota pro, 77 kundër dhe një abstenim. Pas votimit në Kuvend, projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit do të shqyrtohet gjatë seancës së sotme.
Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve kaloi për votim në seancën e sotme gjashtë kandidatë për Avokat të Popullit, të gjithë të mbështetur nga firmat e deputetëve të opozitës. Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, lexoi edhe kërkesën e opozitës për të mos përfshirë në rendin e ditës votimin për Avokatin e Popullit, duke nënvizuar se ata janë tërhequr nga firmat për të gjithë kandidatët.
Një moment tensioni u shënua kur kreu i opozitës, Sali Berisha, bllokoi foltoren duke mos lejuar deputeten demokrate Ina Zhupa të merrte fjalën sipas rendit. Në këto kushte, kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën, me kërkesë të demokratëve. Pas ndërprerjes, fjala iu dha Berishës, i cili theksoi se PS është “katandisur keq”, pasi sipas tij Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama nuk kanë më guximin për t’u ballafaquar me deputetët demokratë./ZËRI



