TIRANË- Gjatë seancës së sotme parlamentare ishte parashikuar të mbahej një interpelancë mes deputetit Agron Shehaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Pasi iu dha fjala nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Shehaj propozoi heqjen nga rendi i ditës të interpelancës me kryeministrin, pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë. Rama ka deleguar ministren e Brendshme, Albana Koçiu, për të zhvilluar interpelancën në vend të tij. Kërkesa e deputetit të partisë Mundësia u rrëzua me 77 vota kundër dhe 28 pro.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj u ndal te akuzat për vjedhje dhe shpërdorim detyre ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Lidhur me interpelancën, Shehaj u shpreh se Rama nuk është i përqendruar te Kuvendi, por te çështja e Ballukut.
“Siç e thashë, kërkoj interpelancë me kryeministrin dhe ministren e Brendshme. Nuk është askund në rregullore që kryeministri mund të shmangë interpelancën. Unë e kuptoj shqetësimin, sepse në fakt fati i këtij vendi dhe i kryeministrit nuk është i përqendruar në Kuvend, sepse fati nuk po vendoset në këtë Kuvend. Kryeministri ka halle më të mëdha për të zgjidhur tani sesa të dalë në interpelancë. Kryeministri ka hallin e Ballukut, është hall i madh. Sot Rama ishte në një event dhe me paturpësinë më të madhe ka dalë në 30-vjetorin e Prokurimeve Publike duke u mburrur për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Mazhoranca ka humbur fabulën. A i keni dëgjuar përgjimet, ku Balluku fillimisht anulon një tender ‘me ndjesi’, dhe më pas del se mbyll një kontratë me kompaninë turke përpara se të hapej tenderi? Në radhë të parë duhet të respektoj qytetarët. Mënyra se si unë i respektoj është duke folur për vjedhjet tuaja”, – tha Shehaj./ZËRI



