TIRANË- Po mbahet në Tiranë aktiviteti “30 vite Prokurime Publike”, me fokus progresin e Shqipërisë në këtë sektor. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se progresi i vendit në luftën kundër korrupsionit është i padiskutueshëm. Ai foli edhe për rolin e “Diellës” në prokurimet publike, e cila është ministrja AI e dekretuar në mandatin e katërt të qeverisë Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se Diella nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur, por do të jetë në çdo hap e auditueshme. Ai theksoi se Diella do të sjellë vetëm të dhënat në tavolinë, ndërsa vendimi do të merret nga grupi i komisionit të prokurimeve publike, bazuar në të dhënat e sjella prej saj.
“Diella nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur, por do të jetë në çdo hap e auditueshme. I gjithë procesi që do të zhvillohet në rrugë dixhitale do të jetë sipas kërkesave të dokumentacionit përkatës. Kushdo që do ta shohë me sytë e njeriut procesin, do të ketë mundësi ta shohë. Asgjë nuk do të jetë e pagjurmueshme në auditimin e hapave që sollën vendimin. Vendimin përfundimtar do ta marrë sërish komisioni, bazuar në të dhënat që Diella do të vendosë në tavolinë. Efikasiteti i sistemit do të jetë ashtu siç na ka ndihmuar gjithçka që lidhet me AI-në,” – tha Rama.



