“Si ka mundësi, pagat në 9230 euro?” Rama ‘thumbon’ gjyqtarët: Me një vendim ndryshojnë edhe qeverinë, por s’e kam hallin tek…


"Si ka mundësi, pagat në 9230 euro?" Rama

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhje me kërkesën e magjistratëve për rritje page. Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka thumbuar deklaratat e Shoqatës së Gjyqtarëve, duke ironizuar kërkesën e tyre se ‘detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj’. Megjithatë, sipas kreut të qeverisë, kërkesa e tyre nuk e habit aspask, pasi thekson se ata janë të gatshëm që me një vendim gjykate të ndryshojnë edhe qeverinë. 

Postim i plotë i Ramës:

“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen! Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh! Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj. Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!”, thotë Rama.

Më herët, Rama bëri një tjetër reagim ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët dënuar qëndrimin e kreut të qeverisë për çështjen Balluku. Shoqata e gjyqtarëve dënoi sot sulmet e kryeministrit Edi Rama, në drejtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kanë vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në njoftimin për mediat të shoqatës së gjyqtarëve, thuhej se qëndrimi i Ramës është një presion ndaj drejtësisë, dhe një ndërhyrje në sistem, në një kohë që çështja është ende duke u trajtuar nga gjykatat. Shoqata ritheksonte se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në reagim e tij, Rama theksoi se ai nuk do të heshtë përballë Shoqatës së Gjyqtarëve, as për kërkesën e tyre për rritje të pagae, që kërkohet të bëhet duke anashkaluar qeverinë e parlamentin.  

“Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre”, u shprej ndër të tjera Rama. 

Rama vijon reagimin e tij duke thënë se qeveria dhe shumica parlamentare që ai drejton janë të gatshëm që të komunikojnë në rrugë institucionale me shoqatën e gjyqtarëve, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top