Ish-mesfushori i njohur nga Bregu i Fildishtë, Jaja Ture, vazhdon të urrejë hapur Pep Guardiolën, edhe pse prej shumë vitesh nuk është më pjesë e futbollit aktiv. Trajneri spanjoll e ka drejtuar te Barcelona dhe Mançester Siti dhe mesfushori nuk ka kujtime shumë të mira me të.

“Kur e shoh, nuk shoh një burrë, por një gjarpër”, tha ish-mesfushori në një intervistë të dhënë për një podkast në Youtube, teksa e fajësoi edhe për largimin nga Mançester Siti.
“Më turpëroi, më tha ‘qëndro me ne, më duhesh, je i rëndësishëm për skuadrën’, por pastaj më linte në pankinë”, ka kujtuar Ture, duke u kthyer më pas në kohë aty ku nisi gjithçka, te Barcelona.
“Për një vit luajta shumë pak, vendosa të largohesha te Mançester Siti. Por pasi kisha shkëlqyer në Botërorin 2010 më telefonoi dhe më tha që më dëshironte te Barcelona. “Duhet të kthehesh, është e rëndësishme”. Gruaja më tha “Do të dëgjosh këto budallallëqe? Të ka trajtuar si mbetje dhe tani dëshiron që të qëndrosh? Le të shkojmë në Mançester, nuk është një burrë, është i keq’. Ajo e shihte si një person negativ”, tha ndër të tjera Jaja Ture.
PANORAMASPORT.AL








