Një grua është gjetur pa shenja jete në fshatin Grabanicë të Klinës, në afërsi të urës së Lumbardhit në Kosovë.
Policia e Kosovës njofton se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku në vendngjarje, ndërsa hetuesit policorë dhe prokurori i shtetit kanë dalë menjëherë për veprimet e para hetimore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë. Sipas Policisë, viktima ishte raportuar si e zhdukur nga familja mbrëmjen e djeshme. “Rreth orës 19:00 në stacionin e policisë është raportuar për një person të zhdukur dhe janë nisur hetimet si ‘Person i zhdukur’”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi se krahas policisë dhe prokurores, në vendngjarje ka qenë edhe njësiti i zjarrfikësve për tërheqjen e trupit. Nikçi shtoi se me autorizim të prokurorit janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e vdekjes.









