TIRANË- Avokati i Popullit ka publikuar një raport që evidenton shkelje të të drejtave të ish-presidentit Ilir Meta gjatë qëndrimit të tij në burg. Sipas raportit të bërë publik, gjatë periudhës 26 tetor 2024 – 18 gusht 2025, ai ka kryer më shumë se 3,000 telefonata dhe 172 takime, përfshirë me familjarë, avokatë dhe persona të tjerë.
Mësohet se ai është takuar 118 herë me avokatët e tij, 3 herë me noterë, 49 herë me familjarë dhe 2 herë me persona jashtë familjes. Gjatë qëndrimit në qeli, Meta ka paraqitur ankesë për trajtim çnjerëzor dhe kufizime në komunikim dhe takime me të afërmit dhe miqtë e tij. Në raport, Avokati i Popullit ka evidentuar disa shkelje ligjore që ka bërë Drejtoria e Burgjeve në rastin e Metës, mes tyre: shkelje e të drejtës për familje, ndalim i vizitave konfidenciale dhe kufizim i komunikimit të të burgosurve me median.
Problemet nisën më 9 qershor 2025, kur Meta përdori kontrollin mjekësor për të bërë një telefonatë me Z. Tedi Blushi, ndërkohë që ky i fundit ndodhej në studio televizive. Një episod i ngjashëm u përsërit më 1 korrik me avokatin Kujtim Cakrani. Për këto, Meta u ndëshkua duke u kufizuar takimet me Blushin dhe duke u përjashtuar nga aktivitetet sportive brenda burgut.
Raporti i Avokatit të Popullit evidenton disa shkelje të rëndësishme si: kufizimi i takimeve në vetëm 4 në muaj, pa marrë parasysh nevojat individuale, përbën shkelje të së drejtës për jetën familjare, ndalimi i vizitave konfidenciale me deputetë dhe eurodeputetë pa miratimin e prokurorit bie ndesh me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, pengesa të pabazuara për komunikimin e të burgosurve me median.
Në përfundim të raportit, Avokati i Popullit ka sjellë rekomandime për Drejtorinë e Burgjeve për rastin në fjalë, duke kërkuar rishqyrtim të menjëhershëm të kufizimeve të takimeve dhe telefonatave të Metës.
Disa nga rekomandimet janë:
-Shuarja e menjëhershme e ndalimit të komunikimit me Z. Tedi Blushi.
-Sigurimi që të burgosurit të mund të kryejnë më shumë se 4 vizita në muaj, kur ka nevoja të veçanta familjare, publike ose sociale.
-Zbatimi korrekt i Ligjit nr. 81/2020 për vizitat konfidenciale me deputetë dhe eurodeputetë.
-Kufizimi i telefonatave vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
-Eliminimi i pengesave jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me median.
Dokumenti i plotë:
| Dokumenti |
/ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur



