TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka paralajmëruar zgjedhjen e Avokatit të Popullit, edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e procesit.
Për gazetarët nga kryesia e Kuvendit, Balla u shpreh se “opozita nuk mund ta mbajë me peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Taulant Balla: Përpjekjet e shumicës parlamentare në kufijtë e 3/5 është që ti japim Shqipërisë një avokat populli edhe në vizionin Shqipëria 2030 anëtare e BE. Në kuptimin për ti dhënë avokat populli dikë që përmbush profesionalisht parashikimet që ka kushtetuta dhe ligji, jo anëtari i një partie politike, por një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit.
Nuk mund të jap një parashikimi, sepse ky proces niset me vete-ofrim. I bëj thirrje atyre që përmbushin kriteret që të aplikojnë dhe pas këtij procesi thirrja shkon për grupet parlamentare te opozitës, kësaj radhe nuk e kanë të drejtën ta mbajnë peng 3 vjet zgjedhjet e avokatit të popullit.
Zgjedhja e avokatit të popullit është duke u zvarritur prej 3 vitesh, për shkak të mungesës së dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës. Për këtë shkak kjo detyrë vijon të ushtrohet nga Erinda Ballanca, edhe pse mandati i saj ka përfunduar prej kohësh. /ZËRI



