TIRANË- Kryetari i Partisë ‘Mundësia’, Agron Shehaj, ka kërkuar që partisë së tij t’i vihet në dispozicion një seli qendrore pas certifikimit të zgjedhjeve të 11 majit. Kërkesa i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të nënshkruar nga nënkryetari i partisë, Erald Kapri. Në shkresë, Partia Mundësia kërkon lëshimin e vërtetimit zyrtar që të përmbajë të dhëna të plota mbi rezultatin elektoral: përqindjen e votave të fituara në nivel kombëtar, numrin e mandateve të siguruara në Kuvend, si dhe çdo informacion tjetër zyrtar që lidhet me performancën e subjektit politik në zgjedhjet e fundit.
“Në mbështetje të nenit 22 dhe 22/1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 ‘Për partitë politike’, të ndryshuar, si dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave të hollësishme për zyrat qendrore dhe vendore të partive politike, Partia Mundësia kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lëshimin e vërtetimit zyrtar që pasqyron: përqindjen e votave të marra në shkallë kombëtare nga partia Mundësia, numrin e mandateve të fituara në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çdo të dhënë zyrtare mbi rezultatin elektoral të subjektit politik ‘Partia Mundësia’ në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.”, thuhet në shkresën zyrtare.
Në legjistalurën e XI-të parlamentare, Partia Mundësia ka siguruar 2 vende, për Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.



