Një nga çështjet më të debatueshme në atletikën në salla të mbyllura ka marrë më në fund zgjidhje. “World Athletics” (WA) ka miratuar një rregull të ri që ndryshon formatin e finaleve të 400 metrave në pistë të mbyllur, duke shmangur përdorimin e korsive 1 dhe 2, të cilat prej kohësh konsiderohen dukshëm të pafavorshme për garuesit.
FINALET NDAHEN NË DY GARA – Vendimi, i marrë gjatë mbledhjes së Këshillit Botëror në Monako, ndryshon mënyrën se si do të zhvillohet finalja e kësaj disipline. Pas heqjes së korsive 1 dhe 2 nga përdorimi në garat individuale, mbetej për t’u përcaktuar formati i ri i finales. Tre opsionet e propozuara ishin: 1. Një finale me katër atletët më të mirë; 2. Dy finale: një për medaljet dhe një për vendet 5-8; 3. Dy finale ku medalistët përcaktohen nga tre kohët më të mira totale, pavarësisht në cilën garë vrapojnë. Është zgjedhur pikërisht opsioni i tretë. Rregulli i ri do të hyjë në fuqi në Botërorin e sallës në Torun (Poloni), më 20-22 mars të vitit të ardhshëm.
MOSHA MINIMALE ULET NË 16 VJEÇ – “WA” ka bërë gjithashtu ndryshime të rëndësishme te rregullat e moshës minimale për pjesëmarrje. Deri tani, garat si maratona, hedhjet, garat 10.000 metra dhe ecja 20 km kërkonin moshë minimale 18-20 vjeç. Tani të gjitha provat, pa përjashtim, do të kenë moshë minimale 16 vjeç. Sipas ekspertëve mjekësorë të “WA”, nëse një atlet, veçanërisht në hedhje, arrin normën kualifikuese botërore para moshës 18 vjeç, konsiderohet i aftë fizikisht për të konkurruar në nivel elitar.
NDRYSHIME EDHE NË STAFETAT 4X400 – Një tjetër rregull i ri kufizon në dy numrin e zëvendësimeve të lejuara midis serive dhe finales në stafetat 4×400 metra, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Ky ndryshim prek veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të cilat shpesh zëvendësonin të gjithë përbërjen për të çuar në finale ekipin më të freskët të mundshëm.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL









