TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme do të mbahet sot seanca e tadhës në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë që janë marrë të pandehur. I pari që ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme është biznesmeni Elman Abule, i cili akuzohet për pastrim parash në dosjen e Erion Veliajt dhe ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak të vendosur ndaj tij me kërkesë të SPAK.
Ndërkohë Erion Veliaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Ditën e sotme (5 Dhjetor) zhvillohet në GJKKO seanca paraprake për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Seanca e kaluar, ku Erion Veliaj ishte i pranishëm u shty për shkak të kërkesës së tij për t’u njohur me aktet e dosjes, e cila është prej më shumë se 60 mijë faqesh.
Veliaj kërkoi gjithashtu që të të mos vendosej në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe kushtetuese. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse sot vetë Veliaj do të jetë apo jo i pranishëm në seancë.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në një seancë të mëparshme avokatët e kryebashkiakut kërkuan që ai të ketë mundësi t’i lexojë në paraburgim të gjitha fashikujt e SPAK, ndërkohë që përveç Veliajt në dosje janë edhe 29 të pandehur të tjerë. Gjatë javës së kaluar avokatët e Veliajt dorëzuan kërkesë në Kushtetuese për shfuqizimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, mbasi ata e konsiderojnë si antikushtetues, ndërkohë që më herët e njëjta gjykatë vendosi kundër shkarkimit të tij nga detyra si kryebashkiak./ZËRI




