TIRANË-Pas takimeve dhe “Foltoreve”, në selinë qendrore të Partisë Demokratike ka nisur një lëvizje e re organizative brenda partisë. Një udhëzim i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka i është shpërndarë degëve lokale në të gjithë vendin. Në udhëzim, thuhet se duhet të nisë analiza e brendshme për rezultatin që mori PD në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas dokumentit analiza do të fokusohet teke rezultatit në çdo qendër votimi dhe krahasimi me historikun elektoral të Partisë Demokratike (2009–2025), duke evidentuar në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat sipas çdo qendre votimi. Po ashtu do të analizohet puna e çdo kandidati për deputet, për të parë kush ka ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat.
Ky vendim vjen pas takimit të mbajtur një ditë më parë, në Durrës nga ish-deputeti Ervin Salianji me strukturat e PD, ku gjatë fjalimeve që u mbajtën, demokratët kërkuan të bëhej një analizë e situatës në të cilën ndodhet sot PD./ZËRI



