“Ta vazhdojë sa të ketë qejf”, Berisha ashpërson gjuhën me Salianjin: Nuk ka mashtrues më të madh…


“Ta vazhdojë sa të ketë qejf”, Berisha ashpërson

sali berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ashpërsuar tonet me ish-deputetin Ervin Salianji, i cili ditën e djeshme mbajti një takim me strukturat në qytetin e Durrësit. Berisha këmbëngul se Salianji është duke ndërmarrë një axhendë për interesa personale, dhe se qëllimi i tij nuk ka asnjë lidhje me analizën apo ringritjen e Partisë Demokratike. 

“Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore, është një anëtar kryesie që ka një axhende personale. Në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme. Ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizë. Këto ai do të ketë axhende personale. Le ta vazhdojë deri në fund sa të ketë qejf.

I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një axhende strikte personale.

Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrues më të madh. Militanti demokrat këto vite ka votuar dhe vota është mënyra e dëgjimit”, tha Berisha.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët a ndihet i sfiduar nga lëvizja që Ervin Salianjit, kreu i PD u përgjigj duke qeshur dhe me ironi: “mos e pyet”.

Sipas Berishës, një pjesë e atyre që sot kanë nisur një lëvizje kundër tij në PD, gjatë fushatës zgjodhën që të ishin në udhëtime turistike, duke mos u angazhuar me mbështetësit në bazë. Për Berishën, ata që iu bashkuan takimit të Salianjit dhe Alimehmetit në Durrës, ishin thjesht disa persona që u zhgënjyen se nuk ishin pjesë e listave për deputetë.

“Edhe njëherë i përgëzoj anëtarët dhe demokratët e Durrësit, të cilët e braktisën, i përgëzoj. Aty ishin një grup të pakënaqurish që nuk u futën në listat për deputetë, kishte të tjerë që punuan për PS, ç’është e vërteta dhe që kanë frikë analizën që do bëhet se do u dalë.

Do jetë analiza. Absolutisht jo, nuk janë ngritur këto akuza fare. Prandaj duhet analiza në parti. Se ata që i kanë tradhtuar militantët dhe punuan për Ani Dyrmishët dhe të tjerët, sigurisht do japin hesap para strukturave.

Ata të cilët morën udhëtime turistike gjatë fushatës… po paralajmëroj llogaridhënie. Ata të cilët zgjodhën turizëm në mes të fushatës, ata sigurisht bashkohen se kanë qëllimet e tyre. Edhe njëherë i përgëzoj demokratët e Durrësit dhe i garantoj se do ketë një llogaridhënie të plotë nga të gjitha strukturat, të gjithë drejtuesit.

Thashë edhe njëherë, axhenda private, disa prej tyre që i njoha, pashë individë që kanë punuar për Ami Dyrmishët, pashë të tjerë që ia kanë mbathur në mes të fushatës për turizëm në mënyrë të dokumentuar.

Tani këta nuk mund të më impresionojnë mua”, vijoi Berisha deklaratën e tij, para Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan një takim me strukturat në qytetin e Durrësit, ku u vërejt një numër i madh pjesëmarrësish, ndërsa organizime të tilla pritet që të shtrihen në të gjithë vendin. Lëvizja synon sipas Salianjit, që të bëjë një ringritje të Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top