TIRANË- Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, për punën e institucioneve të drejtësisë, në vitin që lamë pas. Lamallari tha se përgjatë vitit 2024, Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të hetimeve në 5 vitet e fundit proactive dhe të sekuestrimeve pasurore.
“Hetimet proaktive janë shtuar me 12.3%. Janë sekuestruar 65.5 mln euro pasuri, rritje domethënëse me gati 60% të krahasuar me vetëm një vit më parë. Janë çuar për gjykim 569 cështje korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, me 234 të pandehur.
1500 profesionistë të trajnuar, SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht dhe 163 procedime me përgjime”, deklaroi ai.
Ndërkohë Lamallari tha se ende ka shumë ngarkesë në punën e prokurorive, për shkak të vendeve vakante në organin e akuzës.
“Mbingarkesa e lartë e prokurorëve, kemi 35% të organikës me vende vakante. Shohim një përdorim të kufizuar të teknologjive në hetime. Nevoja për unifikim të procedurave të brendshme dhe dokumenteve standarde të punës.”
Lamallari tha se Ministria e Drejtësisë do të fokusohet në pesë shtylla kryesore në vijim, për një drejtësi më transparente, efikase dhe njerëzore:
–Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal, ku përfshihen prezumimi i pafajësisë apo shmangia e ndalimeve arbitrare, respektimi i të drejtës për mbrojtje. Proporcionalitet dhe transparencë në çdo hetim
–Forcimi i luftës kundër kriminalitetit me krijimin e njësive të specializuara sidomos kundër korrupsionit. Në fookus mbrojtja e grave dhe fëmijëve.
–Integriteti dhe transparencë në veprimtarinë e Prokurorisë
–Rritja e efiçencës dhe kapaciteteve institucionale
–Përdorimi i metodave bashkohore, me Inteligjencë Artificiale, mjetet digjitale në hetime.



