TIRANË- Lëvizja më e re e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili ka nisur një tur takimesh me pjesë të strukturave të opoiztës, ka shkaktuar tension dhe reagime brenda PD-së. Ditën e sotme, pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit, disa prej deputetëve demokratë janë prononcuar shkurtimisht për mediat.
U pyetur për takimet e demokratit Salianji, deputeti Tritan Shehu u shpreh për mediat se nuk do të komentojë zgjedhjet personale të çdo njeriu.
Xhelal Mziu gjithashtu nuk u ndal të komentonte gjatë, teksa u shpreh: “Çdo demokrat është i mirëpritur kudo dhe për të qenë një armë më shumë kundër kësaj qeverie”.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Tomorr Alizoti, duke mos pranua të komentojë për mediat: “Keni ndonjë pyetje për qeverinë? Ai është miku im dhe është djalë i mirë?”
Pyetjes së gazetarëve edhe Jorida Tabaku vendoi t’i përgjigjej me pyetje duke mos reaguar drejpërdrejt për lëvizjen e Salianjit: “Ça është kjo erë e madhe, qenkeni juve. Kam qenë dhe do vazhdoj të jap kontributi për partinë. Të vazhdojmë përballjen me kundërshtarin, partinë ta lejmë te partia?!”
Deputeti Saimir Korreshi ishte i vetmi që komentoi më gjatë rreth zhvillimeve të fundit. Duke e cilësuar ‘kafe’, Korreshi u shpreh se me Salianjin ka pirë kafe dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.
“Të fillojnë të lëvizin ujërat në parti. Unë takoj çdo demokrat pavarësisht emrit dhe mbiemrit. Kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, se piva një tjetër…”, u shpreh Korreshi.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka zhvilluar dje një takim me demokratët në Durrës, ku iu bashku edhe lir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.
Takimi në Durrës, vjen pas mbledhjes së shumë komentuar të Salianjit 27 nëntor me më të votuarit në procesin e Primareve. Takimi ndezi pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e ‘ADN-së’ fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar. Vetë kreu i PD, Sali Berisha i ka quatur takimet e Salianjit aktivitete për interesa personale, pasi sipas tij Partia Demokratike vepron mbi bazën e statutit dhe forumeve./ZËRI




