Janë mbyllur dje në Durrës garat e Kampionatit Ballkanik të peshëngritjes për të rritur, me Shqipërinë që ka shkëlqyer me dy peshëngritësit shtërmenas, Briken Caljen dhe Ertjan Kofshën.
Dita e djeshme e Ballkanikut nisi me garat në kategorinë e peshave 79 kg për djem, kategori ku merrnin pjesë vetëm 3 sportistë gjithsej dhe mes tyre ishin dy emrat e mëdhenj të shtangës shqiptare, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, duke bërë që përballja të ngjante më shumë si një garë kontrolli mes dy kuqezinjve sesa si një sfidë ballkanike. Triumfi i takoi Briken Caljes, i cili ka lënë pas dëmtimet dhe është rikthyer në podium.
Calja fitoi tri medalje të arta, përkatësisht në shkëputje me 150 kg, në shtytje me 185 kg dhe në dygarësh me 335 kg, duke vendosur edhe tri rekorde ballkanike në këtë kategori të re peshash. Ndërkohë Qerimaj nuk arriti që të klasifikohet, pasi i dështoi të gjitha provat e tij, ndërsa vendi i dytë i takoi turkut Ramazan Zeydanli.
Pas suksesit në Balkanik, Calja u shfaq shumë i kënaqur me performancën, teksa për “Panorama Sport” e komentoi kështu garën e tij: “Jam i kënaqur dhe i gëzuar që arrita një rezultat shumë të mirë. Pas dëmtimit që kisha u riktheva edhe më i fortë dhe arrita të marr tri medalje ari dhe të thyej dhe tre rekorde ballkanike. Kjo fal punës së madhe dhe përkushtimit tim, në çdo seancë stërvitore. Do vazhdoj të eci përpara dhe të mos dorëzohem, pasi gara edhe më të forta na presin”, deklaroi ndër të tjera Calja.
KOFSHA – Mision i përmbushur me sukses në Ballkanik edhe nga Ertjan Kofsha, talent i radhës i dalë ngë akademia shtërmenase e trajnerit Leonard Toska. Tripletë medaljesh ari dhe rekordesgh nga Kofsha në kategorinë e peshave 94 kg, kategori me 3 pjesëmarrës gjithsej në garë. Kofsha e mbylli shkëputjen me 165 kg, shtytjen me 193 kg dhe dygarëshin me 358 kg, duke e ngjitur flamurin kuqezi tre herë në shkallën më të lartë të podiumit.
“Jemi shumë të lumtur që arritëm këtë rezultat fantastik, ku bëmë më të mirën dhe dhamë maksimumin. Kofsha tregoi edhe një herë se është një sportist që po rritet dhe do bëhet shumë i madh. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë për të marrë sa më shumë medalje në garat e tjera. Me këtë rast dua të falënderoj Bashkinë Cërrik dhe federatën për mbështetjen që na japin”, deklaroi pas garës trajneri Toska.
Ndërsa i fundit që u ngjit në pedanë për Shqipërinë ishte Franko Ferra në peshat e rënda +110 kg. Gjithsej në garë morën pjesë tre peshëngritës, ndërsa Ferra zuri vendin e tretë në shkëputje, shtytje dhe dygarësh. Kujtojmë që të martën, në peshat 53 kg, Desjana Koni u klasifikua e katërta në shkëputje dhe e treta në shtytje e në dygarësh në një kategori ku garonin 4 vajza. Ndërkohë Arbëri Çerçizi dhe Julia Alihasani i dështuan të gjitha provat e tyre në Ballkanik, respektivisht në kategorinë 71 kg dhe 58 kg. Kështu eventi rajonal i shtangës mbylli aktivitetin, me ranë në sy shumë kategori peshash që nuk arrinin që të plotësonin peshëngritës as për tri shkallët e podiumit.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL








