Rama kërkon Ballukun në detyrë: GJKKO na pengon për nisjen e fluturimeve me Kanadanë, po presin 36 akte të ‘Infrastrukturës’


Rama kërkon Ballukun në detyrë: GJKKO na pengon për nisjen e

Edi Rama dhe Belinda Balluku

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në idhje me vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre e  Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendës kryeministre. Këtë herë Rama ka arsyetuar përse kërkon nga Gjykata Kushtetuese të shfuqizohet vendimi i Gjykatës së Posaçme, duke renditur detyrat që kanë mbetur pezull dhe ato që duhet të përfundojë Balluku.

Me anë të një postimi në platformën ‘X’ Rama shprehet se kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e  fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Por nisja e fluturimeve ka mbetur pezull pasi për vijimin e marrëveshjes duhet firma e Ballukut në rolin e Ministres. Ndër të tjera kreu i qeverisë shkruan se ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara, pasi Balluku nuk ka mundësinë e firmës

Edi Rama: Konkretisht nga tavolina ime e punës sot, shembuj konkretë, tërësisht aktualë, pse i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese të heqë pezullimin absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse pezullimi i një ministri (për herë të parë në botë) sjell pasoja që dëmtojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik: Diskutimet në nivel teknik kanë përfunduar dhe përgjigja pozitive nga pala kanadeze i ka hapur rrugën marrëveshjes dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kanadasë për të nisur fluturime ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Megjithatë, kjo procedurë aktualisht nuk mund të vazhdojë me hapat e mëtejshëm të miratimit dhe nënshkrimit të saj, pasi Kushtetuta i jep autoritetin ekskluziv për këto hapa ministrit dhe fuqitë e tij vendimmarrëse nuk mund t’i delegohen askujt tjetër. Kështu, pezullimi në fjalë vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, siç është parashikuar. Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të cilat 18 janë vetëm për rindërtim, të cilat mbeten të pezulluara së bashku me ministrin, ndërsa çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjerohet edhe lista e punimeve të bllokuara.

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre me vendim të GJKKO. Pasi treshja e gjyqtarëve, Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, nuk arriti të dilte më një vendim unanim, çështja kaloi në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila do të zhvillohet më 4 dhjetor. 

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.

Kushtetuesja është ajo që do të vendosë për ‘fatin’ e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top