Shqipëria ka mbyllur një fushatë të suksesshme kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm, duke siguruar vendin e dytë në grup. Për herë të parë në histori, kuqezinjtë do të luajnë në “Play Off”, aty ku do të synojnë që të arrijnë grupet e Botërorit, e për ta bërë këtë, duhet që fillimisht të kalojnë Poloninë, e më pas fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.
Kuqezinjtë janë në formë të mirë dhe të shumtë janë legjionarët tonë që në Europë po bëjnë paraqitje nga më të mirat, duke lënë gjurmë me asiste dhe gola të shumtë. Madje, në Serinë A dhe në Serinë B, por flitet çdo ditë e më shumë për talentet nga Shqipëria, ashtu siç po ndodh edhe në Championship apo edhe në kampionatin turk. Silvinjo do të ketë një punë të vështirë për të bërë pasi në këto 4 muaj që kanë mbetur, trajneri brazilian duhet të zgjedhë lojtarët që mund t’iu besojë kualifikimin për në SHBA dhe është e qartë se duhen emra që mund të përballojnë 180 minuta, apo edhe më shumë në rast të shtesave.
Sakaq, në këto eliminatore ka pasur afrime të shumta në kombëtare dhe megjithëse në ndeshjet e fundit munguan risitë, sërish janë shumë lojtarë që nuk kanë mundur të debutojnë në asnjë ndeshje kualifikuese të këtij Botërori. Kështu, 8 prej tyre kanë qenë me kuqezinjtë por nuk janë aktivizuar në asnjë sfidë, e madje shpesh herë kanë përfunduar edhe në tribunë duke mos qenë në preferencat e brazilianit për në vazhdim të sfidës.
LOJTARËT QË NUK DEBUTUAN- Silvinjo ka sjellë emra të rinj në skuadër dhe disa prej tyre, kanë qëndruar në stol për ndeshjet që Shqipëria ka pasur duke mos iu dhënë hapësira. Kështu, Klisman Cake i afruar në ndeshjet e tetorit dhe nëntorit, mori minuta në miqësore por në asnjërin takim zyrtar, nuk u aktivizua në fushë. E njëjta situatë ndodhi edhe me Dajsinanin që tashmë është portieri i dytë. Gardiani i Egnatias nuk ka luajtur në asnjë ndeshje zyrtare dhe megjithëse në Angli u dëmtua Strakosha, vendin e tij e zuri Kastrati, ndërkohë që në të njëjtën situatë ka qenë edhe Alen Sherri, që ka munguar kohët e fundit për shkak dëmtimi apo edhe gardiani tjetër, Simon Simoni. Adrian Bajrami është emri më i lakuar i kohëve të fundit, duke qenë se mbrojtësi që u grumbullua rregullisht nga Silvinjo, madje edhe duke u aktivizuar në miqësore, vendosi të largohej për të luajtur me Zvicrën. Fakti që Bajrami nuk luajti asnjë minutë, e lejoi që të ndërronte skuadër. Ndërkohë, Enis Çokaj dhe Kristian Shpendi janë dy lojtarë të tjerë që kanë qëndruar në stol duke mos marrë minuta në këto kualifikuese dhe ndoshta, për të lënë edhe gjurmën e tyre. Rasti më i veçantë, natyrisht mbetet ai i Medon Berishës. Mesfushori i Leçes po shkëlqen në Serinë A, duke u shpallur edhe 3 herë lojtari më i mirë i muajit, por trajneri Silvinjo nuk e ka preferuar në këto kualifikuese. Më interesant, e bën fakti se lojtari u aktivizua në Europian duke qenë surpriza e madhe në listë, teksa nuk u preferua këtë radhë.
NË TRIBUNË- Gjatë këtyre kualifikueseve, ka pasur edhe futbollistë të tjerë që janë grumbulluar nga Silvinjo por kanë lujautr vetëm miqësore dhe në ndeshjet zyrtare, kanë përfunduar në tribunë. Të fundit, ishin Maldini Kacurri, që erdhi nga Arsenali në ndeshjen ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë. Në miqësore luajti, por me Letoninë qëndroi në tribunë duke mos e pasur emrin as në protokoll. Në të njëjtën situatë ishte edhe Nazmi Gripshi. Mesfushori i Astanës luajti me Jordaninë në miqësore, teksa pak ditë para ndeshjes ishte në tribunë për sfidën me Serbinë, e fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 0-1.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL









