Çfarë di Ilir Meta për “21 Janarin”, Berisha: Mund të ketë informacione më shumë se unë, por…


Çfarë di Ilir Meta për "21 Janarin", Berisha: Mund

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, teksa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme ka zbuluar për mediat edhe mesazhin që i la Dumanit. Berisha vijoi me akuzat ndaj këtij institucioni dhe gjqytares Irena Gjoksa, ndërsa i është rikthyer edhe një herë çështjes së “21 Janarit”. 

I pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën e Ilir Metën për të dëshmuar për “21 Janarin”, Berisha deklaroi se nuk ka dijeni të asaj se çfarë mund të dëshmojë ish-presidenti, megjithëse ky i fundit mund të dijë më shumë se ai. Berisha theksoi se ngjarja ka në bazë falsifikimin, duke përmendur video regjistrimin e ish-ministrit Dritan Prifti, që sipas kryedemokratit është manipuluar nga kryeministri Rama.

“Nuk kam dijeni se cilat gjëra di Meta, më shumë se ç’di unë. Mund të di, ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, manipulimin e një regjistrimi të ish-ministrit Prifti. Mendoi se do mund të më bënte presion, unë i thash sa të dalësh nga dera ime bëjë publike. Meta mund të ketë gjëra për të sqaruar më shumë se unë. E ka manipuluar Rama dhe Filip Çakulli. Nëse unë sulmoj sot Troplinin, sulmoj se kam vërtetuar lidhjet e tij me krimin”, tha Berisha. 

Sa i përket masës “detyrim paraqitje”, Berisha i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e saj. Në kërkesën e dorëzuar më datë 20 nëntor, Berisha kërkon që masa, të cilën po e zbaton prej një viti, të shpallet antikushtetuese. 

Në çështjen “Partizani”, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina.

Ndërkohë, lidhur me “21 Janarin”, ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar të pyetet si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me protestën e “21 Janarit”, ngjarje ku mbetën të vrarë 4 protestues. Në kërkesën e dorëzuar në SPAK, Meta arsyeton se duhet të pyetet pasi sipas tij ‘ka dëshmi që nuk janë të njohura nga organi i procedurës’.

Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës. Pas protestës, Meta u largua nga detyra si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm pas publikimit të videos me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Së fundmi në Prokurorinë e Posaçme janë thirrur për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm i asakohe Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top