TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, teksa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme ka zbuluar për mediat edhe mesazhin që i la Dumanit. Berisha vijoi me akuzat ndaj këtij institucioni dhe gjqytares Irena Gjoksa, ndërsa i është rikthyer edhe një herë çështjes së “21 Janarit”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën e Ilir Metën për të dëshmuar për “21 Janarin”, Berisha deklaroi se nuk ka dijeni të asaj se çfarë mund të dëshmojë ish-presidenti, megjithëse ky i fundit mund të dijë më shumë se ai. Berisha theksoi se ngjarja ka në bazë falsifikimin, duke përmendur video regjistrimin e ish-ministrit Dritan Prifti, që sipas kryedemokratit është manipuluar nga kryeministri Rama.
“Nuk kam dijeni se cilat gjëra di Meta, më shumë se ç’di unë. Mund të di, ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, manipulimin e një regjistrimi të ish-ministrit Prifti. Mendoi se do mund të më bënte presion, unë i thash sa të dalësh nga dera ime bëjë publike. Meta mund të ketë gjëra për të sqaruar më shumë se unë. E ka manipuluar Rama dhe Filip Çakulli. Nëse unë sulmoj sot Troplinin, sulmoj se kam vërtetuar lidhjet e tij me krimin”, tha Berisha.



