TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, për masën e detyrimit, ndërsa ka vijuar me akuzat në drejtim të Altin Dumanit. Sipas Berishës, Dumani është shndërruar në avokatin e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën dhe më herët ka deklaruar se ka fshehur një dënim të marrë në shtetin grek. Kreu i PD, deklaroi se “Irena Gjoka jo vetëm që është dëbuar dy herë nga Greqia dhe ka lëshuar prokurë për të kundërshtuar, por ka dënim penal të formës së prerë, ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, ka gënjyer dhe ka falsifikuar vetingun, megjithatë ajo vazhdon detyrën e mbrojtur gjoja në hetim paraprak nga Poja i Skapit”.
I pyetur se a do ta njohë kreun e ri të SPAK, që do të zgjidhet gjatë këtij muaji, Berisha tha se uron që ai të mos jetë i kapur nga krimi.
“Nuk kam anatemuar asnjeri unë, as Krajën e as Dumanin. Kam paraqitur dokumente, qoftë për Arben Krajën, qoftë për Altin Dumanin. Kraja nuk duhet të jetë në detyrë, sepse është bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Ka qenë kandidat për deputet i Partisë së Punës. Unë jam këtu dhe njoh institucionet e vendit. Nuk kam asnjë lidhje, asnjë dijeni për asnjë nga ata që zgjidhet. Uroj mos të jetë i kapur nga krimi. Unë zbatoj çdo gjyqtar, çdo polic, çdo prokuror, që zbaton ligjin”, tha ai.
Deklarata e Berishës
Berisha: Tani, përsëri do kthehemi tek ikona e drejtësisë të Troplinëve dhe Altin Troplinit, Irena Gjoka. Në mars të vitit 2024, gazeta Ta Nea boton shkrimin se Irena Gjoka është dëbuar nga Greqia. Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr deklaratë në mbrojtje të Irena Gjokës, fytyra e vërtetë e qeverisë së drejtësisë.
Kush ishte kjo?
Në atë kohë ka qenë Llagami mos gabohem.
Llagami, e cila për qytetarët deklaron se nuk ka drejtësi,kurse për vete merr me procese të shpejtuara 3 milionë euro shpërblimin për pronat e veta.
Natyrisht pronat kanë qenë të familjes, nuk mojohet, por që t’i marrësh ato me një shpejtësi të rrufeshme, vetëm ajo e ka bërë këtë.
Ndaj dhe bënte deklaratë në mbrojtje të Irenës. Me 4.5.2024, gazeta Protothema nxjerr vendimin e gjykatës për dëbimin e Irena Gjokës. Me 7 maj 2024, pra para 20 muajsh, prokuroria deklaron se po nis hetim të thelluar. Pra, prej 18 muajsh e mban në sirtar hetimin pa asnjë rezultat. E ka futur në turshi. Ky është ligji për këta.
Këta janë njerëzit e ligjit, që i paguani ju o qytetarë me rrogat më të lartat në Europë. Ne nuk i kemi votuar kurrë këta. Këta nuk i kemi votuar. Unë po bëj fjalë për persona, sepse këtu meqenëse doni, absolutisht ka njerëz të ndershëm, njerëz punëtorë, njerëz që kanë dëshirë të bëjnë ligjin.
Do ishte gabim të mendohej se janë të gjithë Troplinë apo Irena Gjokë, por ky është një binom. Troplini mendon Gjokën, vetëm një si Altin Troplini mund të bëjë një gjë të tillë, të pranojë një delinkuente si Irena Gjoka, duke e ditur se diskrediton cdo ditë gjyqtarin, prokurorin, por duke qenë peng që të dy, nuk kanë interesa të tjera, përveç interesave të tyre personale.
Me një fjalë, janë dy faqezinj, që kërkojnë t’u nxijnë faqen të tjerëve.
Por të tjerët nuk janë si ata. Të jemi realistë sepse do ishte gabim të mendonim se të gjithë ata punonjës aty kanë moralin e Pojës së Skapit apo të Irena Gjokës.
Me datën 2 maj 2025, gjykata e Janinës lëshon vendimin me vulë apostile jo vetëm për dy dëbimet për Irenës, por edhe për dënimin e saj penal të formës së prerë.
Me datën 5 maj, paraqita këtu para jush vendimin me vulë apostile. Para dyerve të Skapit.
Me datën 5 maj 2025, Irena Gjoka mohon që të jetë dënuar. Pra, a ka më faqezezë se kjo?
Gjykatësja është një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme për një shtet. Një grua, një nënë, që heq çdo lloj cipe dhe u thotë medieve që nuk ka qenë kurrë e dënuar.
Unë besoj se nuk ka njeri të ndershëm që mund të pajtohet me një person si kjo, që nuk ka normë, nuk ka standard moral, por mbrohet nga Altin Troplini.
Ajo mohohet që të jetë dënuar apo dëbuar nga Greqia në një intervistë për portalin BIRN.
Mos harroni se ky mohim do të thotë dyfishim i krimit të kryer.
Sepse fshehja në formularin e vetingut dhe të dekriminalizimit, fshehja tek ILDKPKI, të gjitha këto përbëjnë krime në vetvete secili prej tyre.
Pardje, siç e dëgjuat, një ministër i qeverisë rumune, vend anëtar i BE, dha dorëheqjen vetëm e vetëm se nuk kishte pasqyruar një ndodhi të tij në formularin e deklarimeve në ILDKPKI.
Por natyrisht ai është një ministër, një njeri i qytetëruar që merr përgjegjësi për gabime apo fajin që ka kryer, kurse këtu kemi të bëjmë me kriminelë që fshihen prapa krimeve të tyre dhe mbrohen nga njeriu që paguhet për të mbrojtur qytetarët e tjerë nga krimi.
Pra, nga prokuror, Altin Troplini është shndërruar në avokatin e shpërfytyruar të Irenës me 5 mbiemra.
Me 6 maj 2025 del prokura e vitit 2003, pra një ditë pasi kishte mohuar, pasi kishte thënë që nuk kam qenë kurrë e dënuar, doli prokura të cilën Irena me shumë mbiemra e kishte lëshuar për të marrë avokat në Fier që të kundërshtonte vendimin e dëbimit nga Greqia.
Pra, bie absolutisht alibia që nuk kishte dijeni.
Për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, por jo për Altin Troplinin, i cili skllav i veprave të tij, është i detyruar të sillet në këtë mënyrë, të poshtërojë veten dhe të shndërrohet nga prokuror në avokat.
Me 7 maj 2025, Altin Troplini, Poja e Skapit, deklaron fillimin e hetimeve paraprake, hetimit mburojë për të mos lejuar shkarkimin e saj. Për të mos lejuar veprimet administrative ndaj saj, pasi thotë se unë po e hetoj këtë.
A ka akt më të turpshëm?
A ka akt më kriminal se sa ky?
Duke qenë para të gjithë këtyre dokumenteve, shpall hetim paraprak siç shpalli për McGonigal, Olsi Ramën, për Kreshnik Farrukun, pasi sipas qytetarit dixhital, u pagua me 5 milionë euro që të falsifikojë identitetin e tij për vëllain e tij.
Tani, a ka paguar Irena qindra mijëra euro Altin Farrukut, apo e bën se e ka urdhëruar Edi Rama, këtë unë nuk mund ta them.
Por pozicioni i tij është pozicioni më i shëmtuar i një njeriu pa dinjitet, pa personalitet dhe zbaton ose urdhrin e parave ose urdhrin e Edi Ramës.
Me 8 maj i kërkova KLGJ-së shpalljen e mbarimit të mandatit të Irenës me 5 mbiemra.
Maj-qershor 2025, ndonëse ligji e detyron KLGJ-në të vendosë për 15 ditë për mbarimin e mandatit, vijon loja e kungulleshkave.
KLGJ i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të shprehet, ajo fshihet pas Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk ka asnjë konkluzion. Turp i dheut.
Qershor 2025, del se Irena Gjoka jo vetëm pra është dëbuar dy herë nga Greqia dhe ka lëshuar prokurë për të kundërshtuar, ka dënim penal të formës së prerë, ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, ka gënjyer dhe ka falsifikuar vetingun, megjithatë ajo vazhdon detyrën e mbrojtur gjoja në hetim paraprak nga Poja i Skapit.
Nuk ka figura më të diskredituara sot se këto dy figura.



