TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në nisje të edicionit të 8-të të podcastit të tij “Flasim”, kreu i qeverisë ktheu edhe një herë vëmendjen nga vendimi i GJKKO-së, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm.
Sipas Ramës, kjo është një çështje që nuk është parë kurrë në Europë dhe askund në botë, ku ‘një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë kokë më kokë dhe pezulluan bashkë një anëtar të kabinetit qeveritar’. Teksa thekson që është Kushteuesja ajo që do t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje, Rama citon Komisionin e Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut, sipas të cilave, gjykatat nuk mund të pezullojnë anëtarë të kabinetit të qeverisë.
“Një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë kokë më kokë dhe pezulluan bashkë një anëtar të kabinetit qeveritar. Unë nuk dua të hy në asnjë debat për një absurditet kaq të rrezikshëm sa ky. Pres me durim që Gjykata Kushtetuese t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje të pashkelur askund në Europë, por me sa jemi informuar, askund edhe në botë. Thashë të ndaj të ndaj me ju se çfarë thotë komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut për këtë çështje. Qëndrimi i Venecias është shumë i prerë gjykatat nuk mund të pezullojnë anëtarë të kabinetit të qeverisë, sepse duke bërë këtë cenojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit dhe përgjegjës para parlamentit dhe kryeministrit, nëse gjykata e pezullon praktikisht ajo ndërhyn në punën e qeverisë, ndërron përbërjen e ekzekutivit, merr kompetenca që i takojnë kryeministrit dhe Presidentit. Kjo konsiderohen nga Venecia si shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.”, tha Rama.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI




