TIRANË-Kreu i Partisë Demokartike, Sali Berisha ka zhvilluar një një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku iu është përgjigjur pyetjeve në lidhje me çështjet më të nxehta politike të javëve të fundit. Duke u nisur nga kjo, një takim mes disa prej përfaqësuesve të Partisë Demokratike, larg syve të mediave, ndezi pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Takimi u mbajt nga Ervin Salinji me më të votuarit në procesin e Primareve.
Sa i përket mbledhjes, Berisha u shpreh se askush nuk është i përjashtuar nga PD dhe ka deklaruar se problem serioz ka qenë angazhimi total i opozitës në mbrojtjen e votës. Kreu i PD ka shuar zërat duke deklaruar se vetë Salianji ka qenë disa herë në zyrën e tij, ndërsa për Ilir Alimehmetin që ishte po ashtu pjesë e takimit të përfolur, u shpreh se janë takuar edhe më shpesh. Berisha theksoi se debati brenda PD është diçka normale, pasi sipas tij, do të ketë mendime ndryshe.
Sali Berisha: Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti. Po ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Në rast se ju rikujtoni deklaratat e mia, ato kanë qenë dy. E para me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe kjo është përsëritur dhjetëra e dhjetëra herë. Unë jam kryeministër dhe unë e di se, në rast se një kryeministër vendos të mos zhvillojë zgjedhje, por farsë, opozita nuk i fiton kurrë ato zgjedhje. Nuk është se opozita sot nuk ka dobësi por në kushtet e një narkodiktature, ju duhet të realizoni se jo në çdo kohë ka disponivitet për reagimin, i gjithë problemi është ky. Dhe në rast se PD angazhohej në debat të brendshme, gjithçka i shkonte për interes Edi Ramës. Ndizini lajmet që janë një fuqi e jashtëzakonshme. Çfarë ndodh? Një debat i vogël ndodh midis opozitë dhe një mendimi ndryshe. Gjëja më normale.
Ndërkohë, Berisha u pyet nga një prej komentuesve se përse nuk e jepte dorëheqjen nga PD pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Kreu i PD shpjegoi se në një situatë të tillë, pas zgjedhjeve farsë të 11 majit, ky akt do i shërbente vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ndërsa shpjegoi se Partia Demokratike e përcakton fatin e drejtuesve të saj dhe përfaqësuesve nëpërmjet votës.
Sali Berisha: PD e përcakton fatin e drejtuesve të saj dhe përfaqësuesve nëpërmjet votës. Humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë i dorëheqjes së atyre që drejtojnë, por në kushtet kur zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje normale, një akt i tillë do i shërbente diktatorit dhe atyre që shpikin pluralizmin, do i shërbente diktatorin.
Berisha ftoi ndjekësin në fjalë dhe të tjerët që të garojnë për strukturat drejtuese, pasi vota dhe gara ishin të lira. Sa i përket nismës së ndërmarrë, kryetari i PD zbuloi se “Foltorja” e PD-së nuk do të organizohet më vetëm përpara kryeministrisë në kryeqytet, por protesta sipas tij do të mbahet në të gjithë Shqipërinë.





