TIRANË- Takimi i fshehtë mes përfaqësuesve të PD-së ka ngjallur reagime dhe diskutime edhe brenda partisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gament Bardhi e ka quajtur ‘një kafe mes kolegëve’. I ftuar në “Opinion”, Bardhi komentoi takimin, teksa e cilëson diçka ‘jo serioze’ dhe të parëndësishme sipas tij, për ta diskutuar.
“Unë besoj se kemi ardhur për bisedë serioz jo për të komentuar kafet që pinë kolegët çdo ditë. Secili prej nesh kur takohet me koleg, ka dhe biseda të caktuara. Salianji është anëtar i kryesisë ka të gjithë shansin për të diskutuar në kryesi. Alimemeti është drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD… Fokusi duhet të jetë te skandalet e qeverisë. Të bësh një lajm se kolegët pinë kafe nuk e di, ne te kafja e PD jemi çdo ditë”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe një prej emrave që ka qenë i pranishëm në takim, Ilir Alimehmeti. I ftuar në emisionin, “Top Story”, Alimehmeti ka zgjedhur t’i përgjigjet Bardhit shkurtmisht, duke theksuar se nuk mund të komentojë statuset në rrjete sociale. Alimehmeti ka shtuar se ‘tryeza e sotme’ do vijojë punën për të kuptuar problematikat e vërteta brenda partisë.
“Të them të drejtën dhe unë statuseve në FB nuk komentoj, po të donte të na thërriste Këshilli Kombëtar do shkoja, pra mundësia për të fol nuk ka qenë. Lënia pa diskutuar e demokratëve sjellin situata si këto, që kemi një qeveri të kalbur që nuk hidhet dot në tokë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha Alimehmeti.
Takimi i sotëm është zhvilluar mes disa prej përfaqësuesve të Partisë Demokratike, larg syve të mediave, duke ndezuar kështu pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Emra si Ervin Saliajni dhe Ilir Alimehmeti, ishin pjesë e këtij takimi që zgjati rreth 3 orë, të cilit iu bashkuan më të votuarit e listave të hapura dhe kryesuesit e primareve të Partisë Demokratike, si: Gentian Cela, Qani Xhafa, Aulon Kalaja, Ted Kopliku, Alma Kore, Parid Mahmutaj, Xhemajl Gjunkshi, Hysen Kadiu, etj. Mësohet se në takimin që zgjati rreth 3 orë, ‘më të votuarit’ kanë diskutuar për të ardhmen e partisë më të madhe të opozitës./ZËRI




