TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia, duke iu përgjigjur avokates Adriana Kalaja lidhur me deklaratat e saj gjatë një dalje televizive për pretendimin se Meta ka ndikuar për ndryshime në ligjin e “sektorit minerar” në favor të një biznesmeni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka replikuar me Kalanë, teksa i kërkon asaj që ta lexojë edhe një herë episodin e kësaj ‘palo akuze’, duke theksuar se emri i tij nuk ekziston aty. Duke e quajtur një pretendim ‘idiot’, ish-presidenti nënvizon se për ta hetuar, do të kërkojnë në seancën paraprake të merret si provë rregjistrimi i plotë i seancës për ndryshimin e këtij ligji dhe të shohin të gjithë në sallën e gjyqit se ku është ndikimi i Ilir Metës në miratimin e tij.
Postimi i Ilir Metës: Një replikë e detyruar me Adriana Kalanë
E nderuar Znj. Kalaja!
Pata kënaqësinë t’ju ndjek edhe mbrëmë në debatin televiziv A2CNN, të gazetarit Andrea Danglli.
Unë ju ndjek përherë me vëmendje se ju jeni një misionare e vërtetë e interesit publik në luftën kundër korrupsionit, jo me fjalë, por me vepra dhe dhjetëra kallëzime zyrtare në SPAK dhe Prokurori.
Po kështu, ju nuk e luftoni korrupsionin me gjasme apo në mënyrë selektive.
Nuk e teproj po të them se kontributi juaj vullnetar kundër korrupsionit është shumë më i madh se Struktura e Posaçme, që paguhet aq shtrenjtë për të luftuar korrupsionin.
Por, po e bëj këtë reagim ndaj qëndrimit tuaj dje, për një palo akuzë në dosjen time lidhur me gjoja ndikimin tim për t’u miratuar një ligj në “sektorin minerar”, në favor të një biznesmeni.
E nderuar Znj. Kalaja, ju lutem lexojeni edhe një herë këtë episod në akuzën ndaj meje, që të kuptoni mashtrimet e spakistëve të Narkoregjimit.
Emri im nuk ekziston asgjëkundi, e nderuar.
Po kështu, amendamentet për ndryshimin janë bërë nga një deputete e Partisë Socialiste dhe jo e LSI.
Po kështu, për hir të së vërtetës, ndryshimet synonin forcimin e sigurisë në miniera dhe nuk ishin në interes të vetëm një biznesmeni, i cili kishte komunikuar me disa deputetë të Komisionit të Aktiviteteve Prodhuese në emër të të gjithë investitorëve në këtë sektor.
Por, spakistët e Narkoregjimit, meqënëse nuk hetonin dot gjithë ato kallëzime të bëra në SPAK nga Ilir Meta si President për ligjet me porosi dhe emra të veçantë që bënte Edi Rama, shtojnë ujë e shtojnë miell për të justifikuar rrëmbimin tim banditesk.
Megjithatë, për ta hetuar plotësisht edhe këtë pretendim idiot të akuzës, ne do të kërkojmë, në seancën paraprake të merret si provë rregjistrimi i plotë i seancës për ndryshimin e këtij ligji dhe të shohin të gjithë në sallën e gjyqit se ku është ndikimi i Ilir Metës në miratimin e tij.
Po kështu, do kërkojmë që të 80 deputetët që kanë votuar pro, duke nisur nga Edi Rama, të pyeten se cila ka qenë arsyeja që kanë votuar pro këtij ligji.
Si ky rast do veprojmë me të gjitha pretendimet mashtruese të SPAK-ut ndaj Ilir Metës.
Ndërsa Z. Andrea Danglli dhe çdo gazetari që ke mundësinë të takosh, u thuaj se janë të mirëpritur nga unë, të vijnë këtu me kamera dhe dosje të SPAK-ut me vete dhe të pyesin për çdo gjë se do marrin përgjigje për gjithçka. Se unë nuk jam Edi Rama që u fshihet gazetarëve pasi u fshihet të vërtetave të tij të zeza sterrë.
Të bëjnë kërkesë zyrtare te institucionet e kësaj Shqipërisë që ecën me “sukses të paprecedentë” drejt Europës dhe të shohim a do u japin leje.
Edhe në Rusinë e Putinit, Navalni e Khodorkovski lejoheshin të intervistoheshin.
Ndërsa në Afrikën e Jugut të aparteidit, Nelson Mandela, lejohej të lunate tenis.
Ndërsa mua më kanë ndaluar ping-pongun prej gjashtë muajsh, vetëm pse j’u përgjigja 2-3 pyetjeve të një gazetareje.
Por, kjo sjellje e tyre më argëton në planin personal.
Tmerri i tyre nga të vërtetat do të shtohet çdo ditë dhe më shumë me luftën e pakompromis që bëni ju personalisht, por edhe shumë të tjerë pavarësisht nga kapja e mediave me paratë e inceneratorëve që nuk ekzistojnë dhe PPP-ve që vazhdojnë.
Me konsideratën më të lartë për integritetin dhe patriotizmin tuaj, ju përshëndes i bindur se s’ka komardare të brendshme e të jashtme që e shpëton Narkoregjimin duke luftuar të gjithë çdo ditë pa kompromise e pazarllëqe.
Shqipërinë do ta shpëtojnë vetëm shqiptarët e ndërgjegjësuar dhe të bashkuar dhe kurrë ambasadat dhe sidomos McGonigalët.
Ndëkrohë, avokatja Adriana Kalaja ka reaguar po ashtu në replika të vazhdueshme me Metës, duke i theksuar fillimisht se ruan të njëjtën konsideratë për të. Në një postim të gjatë në rrjete sociale, Kalaja rendit disa nga pikat më të rëndësishme të lidhura direkt me Metën, për t’i treguar dhe sqaruar çdo paqartësi.
E bindur për pafajësinë e ish-presidentit dhe duke kërkuar të jetë e qartë pa keqkuptime, Kalaja shton: “Se në dosje nuk ka asnjë provë që T’Ju lidhi Ju me akuzat e ngritura nga shërbëtorët e Ramës. Theksova se edhe nëse marim në konsideratë pretendimin e SPAK, ligjet i kalonte Rama.”
Postimi i plotë:
I Nderuar Z. President,
Së pari, edhe unë ruaj të njejtën konsideratë e vlerësim për Ju.
Së dyti, asnjëherë nuk do e harroj atë betejë historike që keni bërë për Teatrin Kombëtar.
Së treti, Jeni i pari që i keni bërë bllok këtij regjimi duke mos i dekretuar shumë ligje anti kombëtare.
Së katërti, edhe me pasoja personale, Keni mbrojtur Gjykatën Kushtetuese nga noteret e Lanës, dhe gjithë Sistemin e Drejtësisë.
Së pesti, Keni qënë një zë i fortë në mbrojtjen e interesave kombëtare, përfshirë edhe Shtetin e Kosovës.
Së gjashti, Keni mbrojtur sovranitetin territorial të Shqipërisë, në çda rast.
Së shtati, por jo më pak e rëndësishme dhe pa replikë, pasi unë jam dakort në çfarë Ju shkruani në statusin Tuaj, por edhe unë këto gjëra theksova me këtë rast:
1. Se në dosje nuk ka asnjë provë që T’Ju lidhi Ju me akuzat e ngritura nga shërbëtorët e Ramës.
2. Theksova se edhe nëse marim në konsideratë pretendimin e SPAK, ligjet i kalonte Rama.
3. Po kështu, si ka mundësi që Ju jeni marë i pandehur nga shërbëtorët e Regjimit, dhe bizneset që kanë “ushtruar ndikim të paligjshëm” sipas SPAK jo?
Po kështu, theksova se sjellja e këtyre shërbëtorëve të regjimit ndaj Jush, gjatë arrestimit, hetimeve apo në paraburgim, është njolla më e errët e SPAK dhe e “Drejtësisë së Re”.
E bindur në pafajësinë Tuaj dhe me shpresë se kam sqaruar çdo keqkuptim të krijuar, uroj të takohemi sa më shpejt në liri.
Do ja dalim, se jemi në rrugën e të drejtës e të vërtetës.
PS: Mund të shtoja shumë pika lidhur me konsideratën time ndaj Jush dhe kontributin Tuaj atdhetar, po nuk desha të zgjatem e të lodh publikun.



