TIRANË- Një takim i rëndësishëm, jashtë syve të medias, është zhvilluar sot mes disa prej emrave më të votuar në listën e hapur apo primaret e PD-së, në ambientet e një hoteli privat në kryeqytet. Bëhet fjalë për ish-deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike, emra të cilët janë renditur si ndër më të votuarit në zgjedhjet e 11 Majit dhe në primaret e kësaj force politike. Mësohet se në takimin që zgjati rreth 3 orë, ‘më të votuarit’ kanë diskutuar për të ardhmen e partisë më të madhe të opozitës.
Burime bëjnë me dije se në takim ishin të pranishëm: Ish-drejtuesi politik i Kavajës Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti që ishte i dyti më i votuari i PD-së në qarkun e Tiranës, Hysen Kadiu që rezultati e nxorri të parin e më të votuar në Primaret e Tiranës e u la jashtë listave, Aulon Kalaja më i votuari në listën e hapur Durrës, Gent Cela më i votuari në Qarku Fier, Qani Xhafa i Elbasanit, Ted Kopliku më i votuari Qarku Shkodër, Xhemal Gjunkshi Qarku Dibër, Alma Kore më e votuara Qarku Gjirokastër, Parid Mahmutaj më i votuari Qarku Berat, Nada Daullja Qarku Vlorë dhe një sërë kandidatësh të votuar dhe fitues
Sipas burimeve, mësohet se qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në, dhe nevoja e një aksioni brenda partisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e ‘ADN-së’ fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar.
“Rikthimi te ADN-ja fituese, meritokracia, hapja dhe besimi qytetar janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtojmë të ardhmen e partisë,” thanë burimet nga takimi.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse takimi ka për qëllim krijimin e një fraksioni brenda PD-së, ndërsa deri më tani nuk asnjë reagim qoftë edhe nga pjesëmarrësit e takimit të sotëm./ZËRI



