Ç’pritet të ndodhë? Rama mbledh qeverinë, e para pa prezencën e Ballukut pas pezullimit nga detyra!


Ç'pritet të ndodhë? Rama mbledh qeverinë, e para pa

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Qeveria po mban sot mbledhjen e radhës pa prezencën e Belinda Ballukut, pasi GJKKO e pezulloi nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Mbledhja ka nisur në orën 12:00 dhe po drejtohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk dihen detaje apo temat për diskutim. Sipas burimeve, pritet të ketë ndryshime në qeveri.

Sa i përket çështjes së Ballukut, qeveria e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se GJKKO cënoi pavarësin e pushtetit ekzekutiv. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e efektit të vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese, duke lënë të hapur mundësinë e një rivlerësimi të masave ndaj Ballukut.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top