Naser Aliji luajti titullar në ndeshjen e fundit ndaj Anglisë si edhe në kampionat me Dinamon, ku u aktivizua për 90 minuta në ndeshjen ndaj Elbasanit. Por, Aliji ka luajtur i dëmtuar për shkak të shqetësimeve që i ka dhënë pubalgjia.

Kështu, mbrojtësi do të udhëtojë sot drejt Gjermanisë, ku edhe do të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale për shqetësimin që ka pasur. Mbrojtësi do t’i mungojë Dinamos për disa javë dhe me shumë gjasa do të rikthehet në fushë vetëm në muajin janar pasi rikuperimi do të duhet të marrë kohën e vet.
Gjatë javës, Aliji do t’i nënshtrohet operacionit dhe operacione të tilla, zakonisht shkojnë deri në 2 muaj rikuperim, për t’u kthyer që të jenë të gatshëm për të luajtur. Aliji ka qenë padyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dinamos këtë sezon, por edhe sezonin e shkuar duke luajtur si qendërmbrojtës së bashku me Bruno Ditën.
Te Dinamo, tashmë shpresojnë që të rikthehet sa më shpejt Dita, për të pasur të plotë prapavijën, ku pritet të rreshtohet së bashku me Teikseirën, që duket se ka fituar vendin e titullarit dhe në ndeshjet e fundit ka bindur.
PANORAMASPORT.AL








