Humbja tronditëse e Liverpulit në “Anfield”, sqarohet pozita e trajnerit Slot pas krizës së të kuqve
Humbja tronditëse në “Anfield” ndaj Notingem Forest e ka zhytur Liverpulin, në një nga momentet më të ulëta të viteve të fundit, duke shënuar disfatën e tyre të gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit të Premier Ligë dhe duke i lënë në vendin e 11-të.
Kampionët në fuqi kanë pësuar një rënie katastrofike në formë, dhe tani po shtohen pyetjet nëse Arne Slot mund t’i mbijetojë kësaj situate. Humbja ndaj Forest, një skuadër që nuk kishte fituar në tetë ndeshjet e fundit, ishte pasqyrë e kolapsit të fundit të “Reds”, që u panë të çorganizuar, pa ritëm dhe të brishtë në mbrojtje, duke pësuar gola të lehtë dhe duke treguar shumë pak nga intensiteti që i karakterizoi sezonin e kaluar kur fituan titullin nën drejtimin e Slot. Padyshim që është fillimi i tyre më i keq defensiv në historinë e Premier Ligë, duke pësuar 20 gola në 12 ndeshjet e para dhe duke regjistruar golavarazh negativ. Mirëpo, sipas gazetarit të njohur, Fabricio Romano, pozicioni i trajnerit holandez nuk është menjëherë në rrezik, por durimi i klubit nuk është i pafund.
PËRGJEGJËSIA Kapiteni i Liverpulit, Virgil van Dijk, ka pranuar se ai dhe skuadrs e kanë zhgënjyer trajnerin Arne Slot, si dhe veten e tyre, për shkak të paraqitjeve shumë të dobëta të skuadrës.
“Po pësojmë shumë gola të lehtë. Situata është shumë e rëndë për momentin dhe do të na duhet shumë punë për ta kapërcyer këtë krizë – deklaroi ai -. Problemi është se të gjithë në ekip duhet të marrin përgjegjësi. Futbolli është një sport ekipor dhe secili duhet ta marrë seriozisht këtë moment. Duhet të punojmë më shumë dhe të ecim përpara”, shtoi holandezi. Aktualisht, Liverpul është vetëm tre pikë prapa Aston Vilës në garën për një vend në Champions, çka do të thotë se ende ka kohë për ta shpëtuar sezonin.
RUNI VS. SALAH Ndaj Forest erdhi një tjetër ndeshje ku Momo Salah, i cili ka pesë gola këtë sezon, nuk arriti të regjistronte gol apo asist. Dhe kjo ka bërë që të reagojë Uejn Runi: “Nëse do të isha në vend të trajnerit Slot, do të merrja një vendim të madh që të ndikonte te pjesa tjetër e skuadrës,” tha Runi në podcast-in e tij. “Salah nuk po i ndihmon në mbrojtje. Nëse je një nga lojtarët e rinj që Liverpool ka blerë dhe je në stol, ndërsa e sheh atë që nuk vrapon… edhe pse është legjendë e klubit, çfarë mesazhi të jep kjo ty?”, tha anglezi.
PANORAMASPORT.AL








