PD kërkon shkarkimin, reagon presidenti Begaj: Sulme për interesa politike!


PD kërkon shkarkimin, reagon presidenti Begaj: Sulme për interesa

Bajram Begaj

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me kërkesën e depozituar në Kuvend nga Partia Demokratike për nisje e procedurave për shkarkimin e tij nga detyra. Në një deklaratë zyrtare nga Presidenca për mediat, Begaj thekson se nuk komenton nismat politike, pasi ka zgjedhur ta ushtrojë mandatin e tij presidencial pa u ndikuar nga sulmet politike. 

Deklarata e plotë e Presidencës:

Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.

Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese.

Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.

Reagimi i Presidentit Begak ka ardhur pas depozitimit të kërkesës së Partisë Demkratike në Kuvend për shkarkimin e tij. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri publike kërkesën, teksa e akuzoi Begajn për shkelje të Kushtetutës me nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. 

Presidenti Bajram Begaj dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjeshme në Tiranë, në datën 9 Nëntor, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese kishte regjistruar ankimimin e Veliajt në lidhje me shkarkimin. Gjykata Kushtetuese u detyrua të bënte pezullimin e dekretit të Begajt, deri në shqyrtimin në themel të ankimimit të Veliajt. /ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top