Majk Menja ka marrë nofkën “Magjiku: në vitin e titullit kampion të kuqezinjve. Dhe në derbin ndaj Interit ai e tregoi plotësisht se përse, pasi bëri pritje të shkëlqyera ndaj Turam e Lautaro Martinez, ndërsa vuri “qershinë mbi tortë” me pritjen e penalltisë së Çalhanollu.

Padyshim ai ishte heroi i vërtetë i mbrëmjes, edhe pse golin e shënoi Pulisiç, pasi u tregua i pakalueshëm, duke udhëhequr prapavijën e kuqezinjve. Por përtej shkëlqimit të Menja, i cili është graduar edhe kapiten, ka edhe një problem jo edhe aq të vogël.
Kontrata e Majk Menja përfundon në qershorin e vitit 2026 dhe palët, nuk kanë gjetur kurrë gjuhën e përbashkët për një rinovim. Por këtë vit, ka një ndryshim të madh, pasi rolin e drejtorit sportiv tashmë e mban Igli Tare dhe ky i fundit ka treguar edhe në një klub si Lacio, me buxhete shumë më të kufizuara, se di të gjejë mënyrën e duhur për të bindur lojtarët të rinovojnë.
Tares i kërkohet që të bëjë një tjetër “magji”, këtë radhë për të bindur “Magjikun” të rinovojë me Milanin, ku ai ka një rol padyshim thelbësor dhe ka lënë pas krahëve problemet fizike të viteve të kaluara, ashtu si edhe disa paraqitje pa ngjyrë.
Te Milani shpresojnë shumë që francezi të ndërrojë mendje, në mënyrë që të mos përfundojë edhe kjo histori njëlloj si ajo e paraardhësit të tij, Xhixho Donarumës.
PANORAMASPORT.AL








