Kupa e Botës në skitë alpine u ndal gjatë fundjavës për ndalesë e radhës, këtë herë në Gurgl të Austrisë, një etapë që nuk ndryshoi renditjen e përgjithshme, duke konfirmuar rezultatet e arritura në Levi të Finlandës. Kështu, edhe në Austri protagonistja e madhe ishte Mikaela Shifrin, e cila triumfoi në sllallom, ndërsa e vetmja që po arrin të mbajë ritmin e legjendës amerikane është Lara Kolturi.

Vajza e talentuar nga Piemonte, e cila garon për Shqipërinë, shënoi një tjetër rezultat historik për vendin tonë, duke u klasifikuar në vendin e dytë. Për Kolturin ky është podiumi i pestë në Kupën e Botës, ndonëse bëhet fjalë për një skiatore që vetëm pak ditë më parë ka mbudhur 19 vjeç. Pas Shifrin me kohën totale 1’48″11 , Lara shkëlqeu në të dyja zbritjet dhe e përfundoi garën me kohën 1’49″34, me +1″23 pas amerikanes.
E treta u klasifikua zvicerania Kamil Rast, me +1″41 diferencë nga fituesja. Në renditjen e përgjithshme, Shifrin kryeson tashmë dukshëm, e ndjekur nga Kolturi me 54 pikë më pak dhe nga Paula Moltzan me 75. GARA – Sektori i pjerrët fillestar solli jo pak vështirësi dhe u bë “kurth” për disa skiatore. Katër prej tyre dolën nga pista, përfshirë kroaten Zrinka Ljutiç, fituese e Kupës së Botës për moshat e reja sezonin e kaluar. Temperatura ishte më e lartë pas garës së parë, por pjesa e sipërme e pistës mbeti e ngrirë, duke detyruar skiatorët të ngadalësonin për të shmangur gabimet.
Shifrin zhvilloi garën e saj zakonisht të përkryer, duke shënuar fitoren e saj të 66-të në slalom dhe e 106-ta në total për kampionen amerikane. Ndërkohë, Shqipëria mund të krenohet me Lara Kolturin, një skiatore e jashtëzakonshme që e ka futur tashmë flamurin shqiptar në sallonet më të rëndësishme të sportit të skive. Ky rezultat përforcon edhe një herë faktin se Lara është duke shkruar një kapitull të ri për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare të skive.
Me një teknikë të kristaltë, ritëm agresiv dhe qetësi të admirueshme, ajo sfidoi pistën e akullt në Gurgl dhe u ngjit në podium mes emrave më të mëdhenj të botës së sllallomit. Performanca e saj ishte një kombinim i forcës, precizionit dhe inteligjencës sportive, një paraqitje që i bën nder jo vetëm ekipit, por gjithë vendit. Çdo kthesë e Lara Kolturit sot ishte një mesazh: Shqipëria ka një kampione që nuk ndalet.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL








