Protesta për krerët e UÇK-së përplas Ramën dhe Kurtin, kryeministri: Të ishte për ju, Thaçin e doni përjetësisht në Hagë


Protesta për krerët e UÇK-së përplas Ramën dhe

edi rama dhe albin kurti

TIRANË- Protesta e thirrur ditën e nesërme në Tiranë, kundër burgosjes së udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, ka ndezur një konflikt të ri mes Lëvizjes Vetëvendosje, që drejtohet nga Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Vetëvendosje shprehej se Edi Rama ka qenë një nga lobuesit më të mëdhenj të gjykatës speciale, aq sa shkoi në kohën e miratimit të saj me avion në Kosovë për të bindur palët.

“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet në deklaratë.

Lëvizja Vetëvendosje ftoi gjithashtu institucionet e Shqipërisë dhe shtetet mike të Kosovës të veprojnë në forumet ndërkombëtare për të mbrojtur të vërtetën e luftës dhe për të çuar drejtësinë përpara, duke kujtuar gjithashtu rëndësinë e njohjes së gjenocidit dhe gjykimit të krimeve të luftës.

“Institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë“, përfundon deklarata.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se farsën gjyqësore ndaj Hashim Thaçit nuk është hera e parë që e denoncon, dhe ngritjen e Gjykatës Speciale e ka mbështetur për të hetuar trafikun e organeve, dhe jo marrjen peng sipas tij të ish-presidentit të Kosovës. Rama shkruan se ai nuk është organizator, dhe nuk do të jetë as folës në protestën e nesërme që do të mbahet në sheshin Skënderbej. Madje Rama është tërhequr dhe nga pjesëmarrja në protestë, pasi sipas tij mund të nxiste politizimin e saj. 

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

 Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama në reagimin e tij.

Protesta në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, që mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, do të zhvillohet nesër, në orën 17:00, në sheshin Skënderbej.

Ngjarja, e organizuar nga komuniteti i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, synon të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Pjesëmarrës do të jenë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe lideri politik maqedonas, Ali Ahmeti./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top