TIRANË- Qeveria nuk ka humbur kohë dhe ka dorëzuar në Kushtetuese, vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga dy postet, si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky veprim vjen pak deklaratës së kryeminstrit Edi Rama. Qeveria ka dërguar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshtohet vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila mori vendim për pezullimin e zv.kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren Marta Kos në Tiranë, pas Samitit të Planit të Rritjes së BE, kreu i qeverisë paralajmëroi se çështja do të dërgohet në Kushtetuese. Sipas kreut të qeverisë, ky vendim do të respektojë pavarësinë e drejtësisë por do të tentojë të ruajë dhe pavarësinë e ekzekutivit që sic tha ai, u cënua rëndë nga një vendim i një gjykatësi dhe një prokurori.
Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi dhe masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare, Erald Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impleks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.
GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore. /ZËRI




