KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, vijon replikat në distancë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të cilit së fundi i ka shtruar 3 pyetje në lidhje me Gjykatën Speciale. Duke marrë shkas nga protesta që do të mbahet në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Vetëvendosje pyet Ramën, nëse ka shkuar në Kosovë në mënyrë urgjente me helikopter, që të bindte deputetët për të votuar pro ngritjes së Gjykatës Speciale. Po ashtu Vetëvendosje shpreh qëndrimin e saj të vazhdueshëm kundër Gjykatës Speciale, ndërsa pyet kryeministrin nëse e ka ngritur shqetësimin e Thaçit apo të tjerë ish-krerëvë të UÇK-së në ndonjë prej organizatave ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është pjesë.
“Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më konkretisht ai mund të tregojë:
1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyrë ai themelimin e Gjykatës Speciale?
2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?
3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik.
Lëvizja Vetëvendosje
përmes zëdhënësit Arlind Manxhuka”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Në një reagim të bërë më herët në rrjetet sociale, Rama shprehej se Lëvizja Vetëvendosje kërkon që Hashim Thaçi të jetë i paraburgosur përjetësisht në Hagë, ndërsa tha se nuk do të jetë pjesë e protestës së nesërme që do të mbahet në Tiranë, për të shmangur çdo politizim të sajin./ZËRI




