SPAK refuzon që Veliaj “të rikthehet” në Bashkinë e Tiranës, rrëzon kërkesën e Këshillit Bashkiak për mbledhjen


SPAK refuzon që Veliaj "të rikthehet" në Bashkinë

erion veliaj

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk e ka pranuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të lejuar Erion Veliajn të marrë pjesë në mbledhjen që do të mbahet nesër, sipas burimeve për mediat. Me firmën e 22 anëtarëve socialistë, por edhe të anëtarëve demokratë, Këshilli Bashkiak i drejtoi një kërkesë zyrtare SPAK që Veliaj të merrte pjesë në mbledhje.

Në kërkesë thuhet se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Në dokument thuhej se autoritetet mund të lejojnë pjesëmarrjen fizike të Veliajt, ose, nëse kjo nuk është e mundur, të paktën të mundësojnë lidhjen online me videokonferencë. SPAK ka refuzuar kërkesën e Këshillit, e megjithatë nuk dihet nëse do ta lejojë kryebashkiakun që të marrë pjesë online në mbledhje.

Kërkesa për të marrë pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme erdhi pas vendimit të 3 nëntorit nga Gjykata Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Veliajt dhe e la në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve.

Kujtojmë se në mbledhjen ku Këshilli Bashkiak vendosi shkarkimin e Erion Veliajt, nuk e lejuan këtë të fundit të merrte pjesë për të paraqitur argumentat e tij. 

Erion Veliaj u shkarkua nga detyra e kretarit të Bashkisë Tiranës, me 51 vota pro, pas propozimit të bërë publikisht nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste. Në një mbledhje të jashtëzakoshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendosi shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, me bashkimin e votave të opozitës e mazhorancës. 

Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top