Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Republikës së Kosovës ka bërë ndryshime në vendimin e mëparshëm për importin e shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania.

Sipas njoftimit të AUV-së, importi lejohet, me përjashtim të disa zonave administrative ku është konfirmuar prania e gripit të shpezëve (HPAI–H5N1).


“Bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportin e Komisionit Evropian të datës 28 tetor 2025 dhe Raportin e Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12 nëntor 2025, kemi vendosur të ndalojmë importin vetëm nga zonat e prekura,” tha zyrtarisht AUV.

Zonat e përfshira në ndalesë janë: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein. Nga këto zona ndalohet importi i shpezëve të gjallë, mishit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet i vlefshëm deri në një vlerësim të ri nga autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Do të vazhdojmë të monitorojmë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojmë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim të mundshëm,” njoftuan nga AUV. /Telegrafi/