I mandatuar për kryeministër, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes mbajti fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kërkoi nga deputetët votën për Qeverinë e re dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Konjufca tha se pa votimin e një Qeverie të re, vendi e ka të sigurt vetëm një gjë: thellimin e krizës. Gjithashtu ai prezantoi edhe kabinetin qeveritar, të përbërë nga 20 portofola ministrash.
Bie në sy se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të mbajë portofolin e ministrit të Jashtëm dhe njëkohësisht zv/kryeministrit. Opozita e ka bojkotuar këtë seancë.
“Me këtë Qeveri e kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale. Do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë drejt në zgjedhje. Tash, nëse shkojmë në zgjedhje në dhjetor, kush do të na garantojë që do t’i shmangin ato edhe në mars?”, pyeti ai.
Ai tha se ky vit përshkruhet me bllokadë institucionale, pasi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi ende nuk i ka krijuar institucionet e reja.
“Për herë të parë, Kuvendi nuk arriti ta legjitimojë Qeverinë e shtetit. Votimit të 26 tetorit i parapriu një krizë politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha ai.
Sipas tij, ky vit do të mbahet mend si vit ku u humb kohë për krijimin e institucioneve të Kosovës, informon Radio Evropa e Lirë.
Në ekspozenë e tij, Konjufca tha se ekzekutivi i tij, nëse zgjidhet do t’i trajtojë çështjet kryesore: “buxhetin e shtetit, miratimin e Planit të Rritjes, disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, ekzekutimin e pagave dhe miratimin e buxhetit për Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok”.
Konjufca prezantoi para Kuvendit përbërjen e propozuar qeveritare:
-Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti
-Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
-Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka
-Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati
-Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
-Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
-Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
-Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
-Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
-Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani
-Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu
-Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
-Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri
-Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
-Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
-Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi
-Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
-Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli
-Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
-Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall









