TIRANË- Kuvendi do të nisë sot në orën, 10:00 një seancë parlamentare dyditore. Të mërkurën dhe të enjten, Kuvendi do të miratojë në parim projekbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2026.
“Paqja Fiskale”, falja e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese, është kundërshtuar nga opozita me argumentimin se ka mbërritur vonë në Kuvend dhe nuk ka qenë e kohë e mjaftueshme për një shqyrtim të thelluar. Demokratët kërkuan në konferencën e kryetarëve që t’u jepet kohë për t’u njohur me paketën fiskale, e cila është futur për diskutim në komisione vetëm 24 orë përpara seancës plenare.
Projektbuxheti i vitit 2026, me një vlerë prej 8.8 miliardë eurosh, shoqërohet nga tetë projektligje, të cilat kaluan në komisione me procedurë të përshpejtuar. Tetë projektligjet do të diskutohen sot në parim nga deputetët.
Në rend dite janë:
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat””. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”. (Shqyrtimi në parim)./ZËRI



