Ish-futbollisti Salvador Kaçaj komentoi kualifikimin e kombëtares shqiptare në play-off të botërorit.
Kaçaj tha në emisionin Log, se ndeshje e kuqezinjve me Anglinë ishte nga më të mirat që kemi zhvilluar, sa i përket mobilizimit. Sipas tij, tani Shqipëria duhet të mendoj vetëm për play-off dhe kualifikimin për në Botëror.
“Ne duhet të diskutojmë si për Andorrën dhe për Anglinë, janë të lidhura me njëra tjetrën. Ne pikërisht me ekipet që janë poshtë nivelit tonë, nuk mobilizohemi. Me Anglinë u mobilizuam, një nga ndeshjet më të mirat tona. Për ndeshjen ndaj Anglisë ka vetëm lëvdata, nota është mbi 8. Ne duhet të mendojmë vetëm për Play Off”, tha ish-futbollisti.
Më tej, Kaçaj foli edhe për sulmuesin Armando Broja, që nuk po kalon një moment të mirë. Me Anglinë u dëmtua dhe doli nga loja, por një ndeshje më parë që na dha kualifikimin nuk u pa në gjendje të mirë emocionale dhe dukej i mërzitur.
“Jam i zhgënjyer nga Broja. Ai është vetëm 24-vjeç, është bërë i madh në moshë”, shtoi Kaçaj.









