Naser Aliji është rikthyer te Shqipëria pak kohë më parë dhe duket se tashmë e ka blinduar sërish vendin e tij në listë. Mbrojtësi i majtë, ka kontribuuar jo pak në të shkuarën për Shqipërinë dhe ka ardhur koha që lojtari nga Kumanova, të luajë sërish me kuqezinjtë.

Kështu, ai u aktivizua si titullar në ndeshjen me Anglinë dhe bëri një paraqitje relativisht të mirë. Aliji luajti 90 minuta në këtë sfidë, duke zëvendësuar Mario Mitajn i cili ishte lënë në tribunë nga trajneri Silvinjo, për të mos rrezikuar.
Mbrojtësi nga Kumanova, kishte pësuar një dëmtim pak javë më parë dhe nuk luajti me Dinamon për disa ndeshje për shkak të pubalgjisë por duket se problemi ka kaluar dhe këtë e tregoi në sfidën e fundit. Sa i përket Hekuran Berishës, paradoksi lidhet me faktin se sulmuesi i talentuar po luan me Kosovën U21 rregullisht, ndërkohë që po mungon me Dinamon.
Daja i besoi minuta në fillim të sezonit, por duket se nuk është më në preferencat e tij dhe ndoshta mund të ndryshojë situata me kalimin e javëve. Berisha luajti ndeshjen e fundit kundër Qipros U21 për rreth 25 minuta ndërkohë që edhe sot ndaj Finlandës, pritet që të ketë hapësirën e tij në fushë. Angazhimi i Alijit me Kombëtaren ka përfunduar të dielën dhe sot do të rikthehet në skuadër, ndërsa Berisha me shumë gjasa do të jetë të enjten në stërvitje me skuadrën, duke pasur pak ditë në dispozicion për ndeshjen me Elbasanin.
PANORAMASPORT.AL








