Shqipëria luajti mbrëmë një ndeshje të rëndësishme ndaj Anglisë për nga interesimi i tifozerisë, por pa shumë rëndësi për situatën në grup.
Të gjitha biletat e ndeshjes ishin shitur prej ditësh, ndërkohë që ndarja e tyre u bë me një short që përzgjidhte tifozët që do të hynin në stadium për këtë takim. Por, të shumtë ishin edhe ata që kishin mbetur jashtë stadiumit.
“Panorama Sport” ka arritur të flasë me disa prej tyre, që kishin mbërritur nga Kosova dhe ishin të gatshëm të paguanin rreth 150 apo edhe 200 euro për një biletë pas porte, ndërkohë që çmimi real i tyre ishte 2500 lekë (25 Euro).
Natyrisht, para këtij takimi ka lulëzuar tregu i zi me biletat e shitura disa herë, ndërkohë që nuk kanë munguar as problemet me rishitjen e biletave pasi shumë bileta mund të jenë shitur nga 2 herë duke e bërë të pavlefshëm barkodin pas skanimit të parë që u bë. Pavarësisht kësaj, ndeshja nuk kishte incidente dhe u shoqërua nga frymë pozitive.
PANORAMASPORT.AL








