TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka nisur dëgjesat publike për buxhetin e qytetarëve për Tiranën dhe Shqipërinë, ku gjatë një takimi me banorët e njësisë 2 në kryeqytet, rikonfirmoi se nga 1 janari rroga minimale do të ndryshojë dhe do jetë 500 euro, kurse deri në fund të mandatit do shkojë deri në 700 euro. Kreu i qeverisë deklaroi po ashtu se pagat do të rriten jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. Rama siguroi qytetarët se nuk do të ketë rritje të taksave dhe deri në vitin 2029 biznesi i vogël do të ketë zero tatim mbi fitimin.
“Nga janari paga minimale rritet në 500 euro, nuk do jetë rritja e parë, do jetë një rritje siç e kemi të thënë para se të merrnim besimin dhe 83 mandate për të çuar pagën minimale 700 euro brenda mandatit 4. Do rriten pagat edhe në sektorin privat, pavarësisht se pagat në sektorin privat nuk i rrit qeveri,. Ka ndodhur më parë dhe do të ndodhë përsëri, se paga minimale do ti shtyjë më lart pagat e tjera. Të gjitha këto do bëhen pa prekur asnjë taksë, pa rritur asnjë taksë. Ne kemi marrë një zotim dhe do ti qëndrojmë atij zotimi, jemi i vetmi vend në të gjitha rajonin tonë, ku nuk ka tatim fitimi për biznesin e vogël. Biznesi i vogël deri në vitin 2029 do ta ketë zero tatimin mbi fitimin dhe të vetëm kontribute që do vazhdojë të paguajë janë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, tha Rama.



